Kushtetuesja ndërpret shqyrtimin e kërkesës së VV-së për thirrjen e Thaçit për moszbatim të masave anti-COVID

Kushtetuesja ndërpret shqyrtimin e kërkesës së VV-së për thirrjen e Thaçit për moszbatim të masave anti-COVID

Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar ndërprerjen e procedurave për ““veprimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, të datës 23 mars 2020, të shprehur përmes konferencës për medie për mosrespektim dhe moszbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, gjë që është kërkuar të vlerësohet kushtetueshmërisht nga 30 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton Insajderi.

Ky vendim i sotëm i gjykatës erdhi pasi që tashmë presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje.

Parashtruesit e kërkesës, sipas Gjykatës Kushtetuese, pretendonin që, “veprimi” i Presidentit të Kosovës i shprehur përmes deklaratës së tij në konferencën për medie, përbën shkelje serioze të Kushtetutës, respektivisht paragrafit 2 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafit 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafëve 1 dhe 2 dhe paragrafit 4 të nenit 16 [Epërsia e Kushtetutës], paragrafit 4 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], nenit 97 [Përgjegjësia] dhe paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit të Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kërkesa, sipas Gjykatës, bazohej në paragrafin 6 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 44 [Saktësimi i kërkesës] dhe 45 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] dhe 75 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.6 të Kushtetutës dhe me nenet 44 dhe 45 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata, menjëherë pas regjistrimit të kërkesës kishte zhvilluar procedurat e nevojshme për njoftimin e palëve në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi. Si rrjedhojë e kësaj, Gjykata kishte pranuar përgjigjen e Presidentit ndaj pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, si dhe komentet e parashtruesve të kërkesës ndaj përgjigjes së Presidentit. Megjithatë, para se Gjykata të vendoste përfundimisht në lidhje me kërkesën e parashtruesve të kërkesës, përmes të cilës pretendohej kryerja e shkeljes serioze e Kushtetutës nga Presidenti, më 5 nëntor 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës dha dorëheqje nga pozita e Presidentit. Në këtë kontekst, edhe paragrafi 5 i Rregullit 75 i Rregullores së Punës përcakton që: ‘Gjykata urdhëron ndërprerjen e procedurave të iniciuara në pajtim me këtë rregull në rast se para nxjerrjes së vendimit të saj, Presidenti i Republikës së Kosovës ka dhënë dorëheqje ose ka ndërprerë mandatin e tij/saj’”, u tha në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. /Insajderi.com