Kushti i Listës Serbe për kryeministrin: Ose na jep postin e ministrit ose të rrëzojmë

Kushti i Listës Serbe për kryeministrin: Ose na jep postin e ministrit ose të rrëzojmë

Nëse kryeministri Isa Mustafa nuk e emëron një pjesëtar të Listës Srpska në krye të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, atëherë deputetët e këtij subjekti do të mbështesin mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë Mustafa.

Kështu ka bërë me dije në një prononcim për Gazetën Express, të mërkurën, kreu i Listës Srpska, Sllavko Simiq.

Ai ka thënë se subjekti i tij politik i ka dërguar letër kryeministrit Mustafa, që ta emërojë ministrin e MAPL’së.

E, nëse kërkesa e Listës Sprska nuk miratohet nga Qeveria e Kosovës deri të premten, atëherë kjo parti do ta shqyrtojë mundësinë e votimit të mocionit të iniciuar nga NISMA për Kosovën për rrëzimin e Qeverisë Mustafa.

“…Nëse vazhdon Qeveria të injorojë kërkesën e dhjetë deputetëve për emërimin e Ministrit të Ri të Pushtetit Lokal atëherë do ta shqyrtojmë edhe kërkesën e NISMA’s për rrëzimin e Qeverisë”, ka thënë Simiq.

Tutje, ai është shprehur se Lista Sprska nuk është njoftuar ende me mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Ai u shpreh se Qeveria gjendet në një situatë të vështirë pas inicimit të mocionit nga opozita kosovare.

“Nuk jemi njoftuar në detaje për mocionin, por në parim nuk jemi për shkarkim të Qeverisë dhe për humbje kohe për shpallje të zgjedhjeve të reja. Nuk do të kishim dashur që të injorohet kërkesa jonë, presim deri të premten, kryeministri të na thërrasë për ta zgjedhur çështjen e zgjedhjes së ministrit të Pushtetit lokal”, ka thënë Simiq për Gazetën Express.

Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, kontaktuar nga Express, zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka thënë se zyrtarët e Listës Srpska duhet që të takohen me kryeministrin Mustafa që të bisedojnë rreth kësaj çështjeje.

“Ata nuk kanë nevojë me dërgu kërkesë…përfaqësuesit e tyre takohen me Kryeministrin dhe e parashtrojnë kërkesën”, ka thënë shkurt Gecaj për Express.

Në dhjetor të vitit të kaluar, nga pozita e ministres së MAPL’së, Mirijana Jevtiq kishte dhënë dorëheqje.

Në anën tjetër, opozita kosovare, e kryesuar nga NISMA për Kosovën, tashmë ka nisur një mocion për shkarkimin e Qeverisë Mustafa. /GazetaExpress