Kushtrim Cukaj jep dorëheqje nga pozita e drejtorit të AAPSK-së

Kushtrim Cukaj jep dorëheqje nga pozita e drejtorit të AAPSK-së

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar (AAPSK), Kushtrim Cukaj, ka dhënë dorëheqja nga pozita që ka ushtruar deri më sot, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur, Cukaj ka dorëzuar dorëheqjen e tij te ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, derisa dorëheqja është me efekt të menjëhershëm.

“Më lejoni që të ju paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të AAPSK-ës bazuar në Ligjin Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik, Nenin 62, paragrafi 2,4 dhe kërkoj të lirohem nga të gjitha përgjegjësitë e mija të bazuara në vendimin Nr.10/59 të datës 21.01.2021 të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës. Dorëheqja ime është me efekt të menjëhershëm, ju lutem të më aprovohet si e tillë. Dorëheqjen e parashtroj për arsye objektive, e që ndërlidhen me familjen dhe shëndetin tim”, shkruan Cukaj në letrën e dorëheqjes drejtuar Haxhiut.

Ndryshe në maj të vitit 2020, Kushtrim Cukaj ishte shkarkuar nga pozita e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Integrimeve Evropiane nga Komisionit Disiplinor për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtues në Shërbimin Civil të Qeverisë së Kosovës. /Insajderi.com