Ku-Ku-Vendi

Kuvendi 2020: Rrëzim i një qeverie pas zgjedhjeve dhe formim i një qeverie pa zgjedhje

Në një vit krejtësisht të pazakonshëm edhe Kuvendi i Kosovës ka prodhuar disa situata të papara më herët në jetën parlamentare të Kosovës. Kuvendi ka rrëzuar një qeveri vetëm pak më shumë se 50 dite pasi ishte formuar dhe më pas ka formuar një qeveri tjetër pa shkuar fare në zgjedhje. Krejt në fund do i duhet të shpërbëhet pasi Kushtetuta ka treguar se në zgjedhjen e qeverisë së fundit diçka s’ishte në rregull. Të preokupuar me drama politike, parlamentarët pak kanë bërë atë për çka edhe votohen – përfaqësim të popullit dhe nxjerrje të ligjeve.

Kuvendi 2020: Rrëzim i një qeverie pas zgjedhjeve dhe formim i një qeverie pa zgjedhje

Salla kryesore e Kuvendit të Kosovës përballoi ndryshime të mëdha brenda një viti, për të nisur me një ndryshim jo më të vogël vitin 2021.

Më 3 shkurt të vitit që lamë pas ndodhi ndryshimi që jo të gjithë e prisnin. Lideri disa-vjeçar i opozitës, Albin Kurti, u zgjodh kryeministër i ri i Kosovës me 66 vota pro, asnjë kundër dhe 10 abstenime.

Në prezantimin e tij të parë ku shfaqi prioritetet e tij para deputetëve, kryeministri i atëhershëm i ri, Albin Kurti, tha se qeveria e tij do të kujdeset për rend dhe ligj, siguri e paqe.

Ai premtoi se do ta rrisë ekonominë dhe buxheti i Kosovës do të arrijë në tre miliardë euro, duke luftuar ekonominë informale, madje edhe shërbimi ushtarak pritej që të bëhej i detyrueshëm për të gjithë.

“Drejtësia jonë duhet të jetë e pavarur, e paanshme. Nuk do të ketë as individ as parti më të fuqishme se shteti. Do ta luftojmë korrupsionin në institucione, do të krijojmë Vetting në drejtësi. Ky proces do të kryhet me partnerët ndërkombëtarë. Do të departizojmë shërbimin e jashtëm, do të jemi qeveri e zhvillimit ekonomik dhe punësimit, për të ndalur emigrimin masiv duhet të rrisim vendet e punës. Do të mbështesim zhvillimin e sipërmarrjeve me fokus të veçantë ndihmën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Do të heqim monopolet dhe evazionin fiskal”, pati thënë ndër të tjera kryeministri Kurti.

“Qeveria e re do të miratojë ligjin për krimet e luftës dhe gjenocidin dhe do të përgatisë padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e luftës në Kosovë”.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti deklaroi atëherë se “në bisedimet me Serbinë do të përfshijnë çështjen e personave të zhdukur, dëmet e luftës, trashëgiminë e ish- Jugosllavisë dhe njohjen e ndërsjellët”.

Por, ishte pikërisht tema e bisedimeve me Serbinë, përvec cështjeve të tjera, që coi në komplikime në vazhdimin e bashkëpunimit qeverisës midis LVV-së e LDK-së, madje erdhi në një situatë kur edhe u kërkua mocioni i mosbesimit vetëm 52 ditë pas krijimit të kësaj qeverie.

Po në të njëjtën sallë më datë 25 mars, deputetët e Kuvendit u mblodhën për ta rrëzuar këtë qeveri, mocion ky i iniciuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shqyrtimi i mocionit të mosbesimit ndaj këtij ekzekutivi ishte kërkuar të shtyhej për shkak të gjendjes që ishte krijuar nga Coronavirusi, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Ndonëse ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, e luti kryeministrin e atëhershëm që të ndryshojë mendje lidhur me shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme, çka ishte edhe shkasi i këtij mocioni dhe brenda një ore të vendoset e të mos rrëzohet qeveria, një kërkesë e tillë nuk e mori për bazë nga Kurti.

Mocioni u votua me 82 vota pro, 34 kundër dhe një abstenim, ndërsa në këtë seancë të pranishëm në sallë ishin 117 deputetë.

Në seancën e 25 marsit e cila zgjati për më shumë se 12 orë, pati replika të shumta midis deputetëve, por edhe vetë Kurtit me ta.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Daut Haradinaj, derisa mori fjalën tha se qeveria e drejtuar nga Kurti as nuk e ka hequr taksën e as nuk ka vendosur reciprocitet.

Duke ironizuar me Kurtin, Haradinaj tha se “për taksën ai nuk ka folur me shtetin mik të Kosovës, (SHBA-në), por me ata që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, duke pretenduar te spanjolli Joseph Borrelli, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian.

I menjëhershëm në reagim ishte kryeministri Kurti, i cili ka akuzuar AAK-në se sikurse kanë hequr dorë nga demarkacioni me Malin e Zi, njësoj do të heqin dorë edhe nga tarifa 100%.

“Unë besoj se juve ju mbetet merak që të heqni taksën, siç keni bërë edhe me demarkacionin me Malin e Zi, jeni mësuar me heq dorë nga bajraktarizmi…”, pati  thënë Kurti.

“ Demarkacioni, demarkacioni dhe në fund hoqët dorë nga bajraku, tash tarifa tarifa, jeni mësuar me heq dorë nga çdo gjë”.

Pas rrëzimit nga pushteti, Lëvizja Vetëvendosje insistonte në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ky subjekt politik kishte kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese, lidhur me dekretin e tashmë ish-presidentit Hashim Thaçi, për normimin e Avdullah Hotit për të formuar qeverinë e re të vendit.

Më 28 maj, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Thaçit për mandatarin e qeverisë së re. Kjo gjykatë konstatoi se mocioni i mos besimit ndaj një qeverie në Kuvendin e Kosovës nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit. Në këtë mënyrë i hapet rruga krijimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Gjashtë ditë më vonë (3 qershor 2020), u votua Qeveria me kryeministër Avdullah Hotin, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe si dhe parti të vogla të minoriteteve.

Nga 86 deputetë sa kishin marrë pjesë në procesin e votimit të kësaj qeverie ku kanë munguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, 61 votuan pro, 24 kundër dhe një deputet abstenoi.

Kryeministri i sapoemëruar, Avdullah Hoti, tha se në këtë kohë, Qeveria e udhëhequr nga ai do të ketë dy prioritete, “luftën dhe menaxhimin e pandemisë me Coronavirusin dhe rimëkëmbjen ekonomike pas kësaj pandemie”.

Përplasjet brenda partnerëve të koalicionit filluan me të rinisur bisedimet Kosovë-Serbi, ndërsa u thelluan akoma më shumë me nënshkrimin e marrëveshjes mes dy vendeve në Uashington.

Marrëveshja ekonomike e 4 shtatorit e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia ishte karakterizuar me dramë në raportet LDK-AAK. Kjo e fundit, kërcënonte me largim nga qeveria nëse kryeministri Hoti nënshkruan marrëveshjen ku përfshihet çështja e menaxhimit të Liqenit të Ujmanit.

Megjithë problemet e krijuara në këtë koalicion qeverisës Qeveria e krijuar më 3 qershor, nuk po arrinte të miratonte shumë projektligje të paraqitura në Kuvend, andaj edhe legjislatura e vitit 2020 do të mbahet mend si më e dobëta për numrin e ligjeve të miratuara.

Këtë më së miri e dëshmon Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili për shkak të mos-kuorumit të mjaftueshëm u miratua në lexim të parë pas tentativës së shtatë, më 12 tetor.

Pas rreth dy muajsh pritje, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19 në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur më 4 dhjetor.

Ky projektligj ka arritur të miratohet me 72 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Votat qeverisë për ta kaluar këtë projektligj ia siguruan deputetët e PDK-së, të cilët propozuan katër amandamente shtesë.

Përmes këtij projektligji mes tjerash parashihej tërheqja e 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale në  Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trust.

Ligji në fjalë ishte proceduar nga qeveria që nga vera, ndërkaq në lexim të parë ka arritur të miratohet pas gjashtë tentimeve.

Kurse, në lexim të dytë, më 11 nëntor nuk kishte arritur që të niste seanca për votimin e tij për shkak të mungesës së kuorumit.

Ky projektligj, i cili u shndërrua në ligj pas dekretimit të presidentes së Kosovës, do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2021, përjashtimisht disa dispozitave që do të jenë të vlefshme deri në vitin 2028.

Kjo Qeveri e cila me vështirësi po arrinte të shndërronte Projektligjet në Ligje, edhe një herë u përball me situatë ku ia kishte nevojën votave të deputetëve nga opozita.

Të zgjedhurit e popullit më 28 dhjetor, kanë miratuar në lexim të parë projekt-buxhetin për vitin 2021 që përfshinë një buxhet prej dy miliardë e 412 milionë euro.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se projekt-buxheti trajton dy prioritete kryesore, që janë përballja me sukses me pandeminë dhe krijimi i kushteve për rimëkëmbje ekonomike. Ajo theksoi se buxheti është i dobët për vitin e ardhshëm, me rënie në të hyra prej 300 milionë eurove për shkak të efekteve të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

“Pas një rënie që kemi vlerësuar se do të jetë 6,7 për qind, në vitin 2021 kemi paraparë rritje ekonomike prej 5,2 për qind”, ka theksuar Bajrami, duke shtuar se në një situatë të tillë nuk mund të premtohet rritje e pagave për policët, mjekët e zjarrfikësit, pasi do të ishte “gënjeshtër e madhe”, tha ministrja Bajrami.

Para miratimit të këtij projekt-buxheti, i cili kaloi me 64 vota, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, votimit i ka paraprirë debati nga deputetët.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se duke pasur parasysh situatën jo të mirë ekonomike, është e nevojshme të votohet buxheti, duke shtuar se deputetët duhet të japin sinjalin e bashkimit dhe të qojnë mesazhin që për interesa shtetërore i kalojnë interesat grupore.

“Vota për buxhetin emergjent sot është një hap i vogël për tejkalimin e krizave. Ne jemi të vetëdijshëm që në klimën që është krijuar vështirë që do të ketë fitues edhe humbës edhe pas zgjedhjeve. Vota kundër buxhetit sot është votë kundër shtetit të Kosovës”, theksoi ai.

Ndërsa, një kundërshtim erdhi nga partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar nga kjo parti, Liburn Aliu, tha se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, nuk është legjitime dhe nuk ka të drejtë të sjellë në Kuvend projekt-ligje të tilla.

“Projekt-ligjin për buxhet po e thërrisni ju e jo qeveria, kjo pasi qeveria është jo-legjitime. Kjo qeveri e cila ka problem me numra e ju po përpiqeni të sillni diçka shumë shpejt. Ju nuk keni të drejtë të sillni projekt-buxhet, këtu është ulur buxheti për shëndetësi e arsim, kurse keni shtuar infrastrukturë, në anën tjetër jemi në krizë,” shtoi Aliu.

Sikurse miratimi i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila po ashtu është në opozitë, deklaruan se do ta votojnë buxhetin, për të mirën e qytetarëve.

“Do ta votojmë buxhetin që arsimtarët, pensionistët, policët, ushtarët, kategoritë e dala nga lufta të mos dëmtohen nga vonesat”, tha shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Bedri Hamza.

Projekt-ligji për ndarjen buxhetore për vitin 2021, i cili u kërkua edhe nga Bashkimi Evropian që të kalojë para shpërbërjes së Kuvendit, u votua në lexim të dytë të nesërmen, me përkrahje të LDK-së, VV-së, PDK-së, AAK-së dhe Nismës.

Deputetët me 85 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kaluan ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2021.

Ky Projektligj ishte i fundit i cili kaloi nga Kuvendi i krijuar me themelimin e Qeverisë Kurti e që vazhdoi edhe me atë të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Qeveria me në krye Hotin, e cila konsiderohej si jostabile, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, e cila po shqyrtonte qe pesë muaj kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për vlefshmërinë e votimit të qeverisë, pasi për të kishte votuar edhe deputeti nga komuniteti pakicë, Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me burg të formës së prerë, me mbi një vit burgim.

Kjo gjykatë më 21 dhjetor, e shpalli të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës dhe urdhëroi mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke e lënë megjithatë Qeverinë Hoti, si qeveri në detyrë.

Pas tërë këtyre zhvillime, Kosova po e përmbyll këtë vit me qeveri në detyrë dhe në pritje të procesit zgjedhor, i cili pritet të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm./Insajderi.com