“Kuvendi ka hyrë në Librin e Genisit”

“Kuvendi ka hyrë në Librin e Genisit”

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka hyrë në Librin e Ginisit duke filluar e rifilluar seancat e veta pa pasur mundësi të t’i përfundojë ato me votimin e çështjeve në rendin e ditës, dhe krejt kjo për shkak të mungesës së kuorumit, ka thënë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Gjilanit.

“Unë besoj se Kuvendi i Republikës tashmë i ka plotësuar kushtet që të hyjë në Librin e Ginisit (Guinness). Katërmbëdhjetë seanca i ka të ndërprera, fillon e rifillon seanca pa e përfunduar, pa votuar, pa kuorum, në një menaxhment dhe menaxhim jashtëzakonisht shqetësues dhe për ne, në fakt i bie edhe ofendues”, ka thënë Haziri në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Një kryetar i Kuvendit dhe një Kryesi e Kuvendit, e cila nuk e harmonizon rendin e punës, e cila nuk e çon deri në fund rendin e punës dhe nuk sjell vendimmarrje dhe e ka sjellë krejt Kuvendin e Republikës në pikëpyetje, jo vetëm për imazh të Republikës sonë, por edhe kredibiliteti ndërkombëtar i saj është zbehur dhe kredibiliteti i saj vendimmarrës po zbehet”, ka shtuar ai.

Ai shpreson se kjo nuk po bëhet qëllimisht në mënyrë që të devalvojë Kuvendi dhe të forcohen institucionet tjera, siç është Qeveria.

“Dua të besoj që nuk është duke u bërë me qëllim, sepse nganjëherë përshtypja është se qëllimisht po devalvohet roli i Kuvendit të Republikës, për t’u forcuar institucionet e tjera, qoftë ai i Qeverisë apo Presidencës. Por, në këtë situatë opozita të vetmen arenë politike që e ka, e ka Kuvendin. Kuvendi duhet të jetë funksional dhe vërtet të mos hyjë në Libra të Ginisit (Guinness) për të keq”, ka shtuar Haziri.