Kuvendi komunal i Prishtinës kritikohet ashpër për mungesë përgjegjësie

Kuvendi komunal i Prishtinës kritikohet ashpër për mungesë përgjegjësie

Ndërprerja e punimeve në Asamblenë Komunale të Prishtinës, për shkak se nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm, ka bërë që organizata INPO të reagojë fuqishëm ndaj asaj që ata e kanë quajtur “papërgjegjshmëri e anëtarëve të kuvendit komunal të Prishtinës për të përmbushur detyrat dhe obligimet e tyre ligjore në përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Prishtinës”.

“Ndërprerja e seancës së kuvendit për shkak të mungesës së kuorumit, si rezultat i mosangazhimit dhe përkushtimit të pjesës dërrmuese të anëtarëve në punime, është e papranueshme dhe kundërshtim me të gjitha standardet e demokracisë përfaqësuese dhe është tregues i qartë i mungesës së integritetit të zyrtarëve publik”, thuhet në komunikatë për media.

Anëtarët e kuvendit komunal në këtë mandat, sipas INPO-s kanë dëshmuar se nuk janë të interesuar për të avansuar demokracinë e brendshme të komunës së Prishtinës  dhe për të përbmushur misionit e tyre ligjor, si organi më i lartë vendimmarës në komunë.

Papërgjegjshmëria e kuvendit komunal në kryerjen e funksionit të detyrueshëm sipas standardeve të përcaktuara me ligj, sipas tyre rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve, shkakton paqëndrueshmëri në menaxhimin e puneve publike dhe ushtrimin e kompetencave vetanake të komunës, si dhe ndikon direkt humbjen e besimit të qytetarëve në organet komunale.

“Në mungesë të vendimmarrjes së kuvendit, komuna e Prishtinës në vazhdimësi është duke rrezikuar realizimin e një morie kompetencash të rezervuara për pushtetin lokal, siç është edhe planifikimi hapësinor lokal dhe menaxhimi me pronat komunale, pika këto që ishin paraparë për diskutim në këtë mbledhje, por që nuk arritën të marrin asnjë epilog”, thuhet në komunikatë.