Kuvendi mban seancë plenare më 23 korrik, diskutohet edhe për situatën e krijuar në Telekom

Kuvendi mban seancë plenare më 23 korrik, diskutohet edhe për situatën e krijuar në Telekom

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, me në krye Vjosa Osmanin, sot kanë mbajtur mbledhje virtuale, ku u vendos që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të enjten, më 23 korrik 2020.

Kjo seancë do të nis nga ora 10:30, në të cilën kuvendi do të vazhdojë me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, përkatësisht votimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat duhet të votojnë 80 deputet pro, si dhe dy propozim-rezolutat nga debati i fundit i Kuvendit në lidhje me menaxhimin e pandemisë Covid-19 nga Qeveria e Kosovës.

Kurse nga ora 11:00, do të fillojë seanca e rregullt plenare, me pikat e rëndomta të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Seanca pritet të vazhdojë me debatin parlamentar lidhur me situatën financiare në Telekomin e Kosovës, të kërkuar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, si dhe debatin parlamentar sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës.

Nëse Komisioni për Buxhet dhe Transfere arrin të kryej punën e tij, pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seance pritet të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. /Insajderi.com/