Kuvendi mblidhet për buxhetin – flasin për UDBA-sha e patriotë

Kuvendi mblidhet për buxhetin – flasin për UDBA-sha e patriotë

Kuvendi i Kosovës u mblodh sot për të folur për rishikimin e buxhetit për këtë vit, në një seancë maratonike e cila po vazhdon edhe pas orës 20:00, por më së paku debat u bë për buxhetin.

Deputetë të pozitës e opozitës bashkë me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kabinetin e Qeverisë së Ramush Haradinajn, u përfshijnë në një debat tashmë të vjetër në Kuvendin e Kosovës: kush është spiun e kush patriot.

Madje debati për buxhetin ishte për pak kohë në fokus të deputetëve dhe ekipit të Qeverisë Haradinaj.

Debati për buxhetin eskaloi në një debat për atë se kush është patriot dhe kush tradhtarë, kur nisën të flasin për kategorinë e veteranëve të luftës për  të cilën kategori së fundmi janë ndarë 21 milionë euro.

Kur deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku i tha Veselit se “ti je SHIK-u, ti i ke fry listat e veteranëve”. Veseli, e pranoi se listat e veteranëve janë fryrë, por shtoi se ka qenë i vetmi që ka kërkuar nga prokuroria që të hetojë mënyrën se si janë hartuar listat.

Veseli akuzon Qeverinë e kaluar për veteranët

Kadri Veseli e pranon: I kemi fryrë listat por i kemi mbyllur sytëLajmi i plotë: https://goo.gl/SPEUXT

Posted by Insajderi on Wednesday, 25 October 2017

“Ti po mendon që janë fry listat a? Janë fry shumë. Unë kom qenë pjesë e koalicionit të kalum. A e din sa e sa lista janë fryre nga partia e juaj. Me qindra vetë. Të cilët kurrë nuk kanë qenë në luftë. E kemi bërë për hir të pajtueshmërisë. Edhe dëgjo, i kemi mbyllur të gjithë sytë”, ka thënë Veseli, raporton Insajderi.

Në polemikat mes të dyve, është përfshirë edhe ministri i ri i Financave Bedri Hamza, i cili iu drejtua Abdixhikut duke ia kujtuar atij se me profesion është ekonomist dhe se ëndërron të jetë në vend të tij.

E ministri Hamza nuk u ndal vetëm me debatin për listat e veteranëve ndërmjet Veselit dhe Abdixhikut.

Duke debatuar për sigurimet shëndetësore, Hamza filloi një debat të ri me deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani me të cilën debatoi rreth kategorisë së grave të dhunuara gjatë luftës.

“Të thuash se kur flet për gratë të dhunuara, po paragjykon se ajo listë qenka fryrë sikur te rasti i veteranëve, vërtetë është diçka që duhet ta rimendoni edhe njëherë. A e kuptoni çka thatë. Ju po thoni se një grua vjen dhe lajmërohet se është dhunuar pa qenë fare e dhunuar”, ka thënë Osmani, teksa i ka reaguar Hamës.

E në këtë seancë nuk ka munguar as deputeti i Nisma për Kosovën i cili është duke qëndruar në arrest shtëpiak për mashtrim të 920 kosovarëve për viza pune në Gjermani, Milaim Zeka.

Ai prapë e shfrytëzoi foltoren e Kuvendit të Kosovës për t’i fyer gazetarët, kësaj radhe, Zeka thumboi gazetarin Adriatik Kelmendi duke thënë se po përdoret studiot televizive për të bërë gjyqe publike.

E në fund të seancës edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu debatin e vazhdoi për listat e fryra të veteranëve të luftës së fundit të UÇK-së.

Sipas Musliut nuk është fare me rëndësi sa është numri i veteranëve por me rëndësi është që ata ti marrin pagat.

“ Për veteranët e luftës u fol shumë sot. More jo 60 mijë po edhe 100 mijë nëse janë do ti marrin pagat”, ka thënë Musliu në foltoren e Kuvendit. Janë apo s’janë listat e fryra ata duhet ti marrin pagat”, ka shtuar ajo.

Krejt kjo seancë e cila është drejt fundit vetëm për buxhetin e Kosovës nuk u diskutua, qytetarët e Kosovës nuk e kuptuan se ku shkuan taksat e tyre. /Insajderi.com