Kuvendi nuk ka marrë asnjë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi nuk ka marrë asnjë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme

Kryetares së Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmanit, nuk i ka ardhur asnjë kërkesë për seancën e jashtëzakonshme e raportuar për të hënën e 28 dhjetorit.

Bekim Kupina, këshilltar për Media nga zyra e krye parlamentares, tha për Gazetën Online Insajderi.com, se nuk ka ardhur asnjë kërkesë për seancë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha të enjten se janë mbledhur katër dhjetë nënshkrime për të kaluar projekt-buxheti dhe po ashtu të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare në procedurë.

“Me kërkesë të mbi 40 deputetëve nënshkrues, ditën e hënë në ora 11:00 mbahet seanca e jashtëzakonshme për aprovimin e ligjit për ndarjet buxhetore, po ashtu në rend dite është edhe miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që janë në procedurë. Pastaj shkojmë në zgjedhje!”, ka njoftuar ai.

Qeveria Hoti është rrëzuar me vendim të prerë nga Gjykata Kushtetuese, por Kuvendi ende nuk është shpërndarë. /Insajderi.com