Kuvendi prapë përplaset për gratë, rregullorja e re po del mjaft problematike

Kuvendi prapë përplaset për gratë, rregullorja e re po del mjaft problematike

Posti i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës mund të jetë i kontestueshëm nëse rregullorja e re e Kuvendit do të kalojë në lexim të dytë në Kuvend.

Në një nga pikat ceket se zëvendësi i parë i kryetarit apo kryetares së Kuvendit të jetë i gjinisë së kundërt.

Por, kundër kësaj ka dalë deputeti i PDK-së Hajdar Beqaj, i cili ka proceduar një amendament për t’u hequr kjo pikë.

Ndërsa Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, thotë se ky amendament bie ndesh me diskutimet publike ne raport me barazinë gjinore. Ajo thotë se me këtë nen lidhet emri i Xhavit Halitit. Por, vetë Beqaj e mohon një gjë të tillë.

Ai thotë se përkundrazi femrat duhet të kenë pretendime për të qenë kryetare e jo vec nënkryetare të Kuvendit. Aktualisht Kuvendi i Kosovës ka dy nënkryetare femra, Aida Dërgutin e Mufera Shenik.

Por, kjo iniciativë e rregullores po shihet me skepticizëm edhe nga përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Ariana Qosaj Mustafa, nga organizata KIPRED shprehet se sipas Ligjit për Barazi Gjinore të Kosovës parashihet se përfaqësimi i pabarabartë gjinor ekziston atëherë kur pjesëmarrja apo përfaqësimi i njërës gjini është më i ulët se 50 për qind për secilën gjini, në çdo organ dhe nivel vendimmarrës në jetën politike. “Rregullorja e re e Kuvendit nëse ka vetëm një pozite nënkryetari atëherë është në përputhje me këtë kërkesë të Ligjit. Në rastet nëse parashihen të jenë më shumë pozita të nënkryetarit propozimi duhet të merr parasysh përsëri këto kërkesa të ligjit dhe nuk konsiderohet diskriminim”, ka thënë Qosaj-Mustafa për gazetën Insajderi.

Sipas saj, Ligji për Zgjedhjet si ato qendrore dhe ato lokale ende nuk i ka dispozitat e përditësuara me kërkesat e Ligjit për Barazi Gjinore dhe ende parashihet që përfaqësimi të jetë rreth 30%, pra që çdo i treti kandidat në listat zgjedhore të jetë i gjinisë së kundërt.

“Do të ketë nevojë që të ndërmerren edhe veprimet e duhura nga ana e KQZ-së në një të ardhme të afërt për të ndryshuar këtë diskrepancë të Ligjit për zgjedhjet me atë për barazi gjinore që ka hyrë në fuqi më vonë”, ka thënë Qosaj-Mustafa.

Edhe Isuf Zejna nga Demokracia Plus ka rezervat e tij rerth kësaj iniciative. “Edhe në rregulloren e vjetër ka qenë e paraparë përfaqësimi gjinor, kështu që nuk ka ndonjë risi”, ka thënë Zejna për Insajderin, duke shtuar se problematike është implementimi në praktikë, pasi kemi të bëjmë me kandidatë që propozohen nga subjektet politike.

Gjatë ditës së djeshme ka dështuar iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e nënkryetares Aida Dërguti, pas kalimit të saj nga Lëvizja në një subjekt të ri politik.

Ndryshe, deputetët kanë pasur përplasje edhe më herët rreth një ligji për përfaqësimin e grave në borde drejtuese.

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar muajin që shkoi vendimin e presidentit Hashim Thaçi për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare, pasi 28 deputetë votuan pro, 32 ishin kundër dhe 7 abstenuan. Me mos miratimin e vendimit të presidentit, projektligji mbetet ashtu siç është miratuar me amendamentin, i cili parasheh kuotën për bizneset që në bordet e tyre udhëheqëse të kenë 40 për qind gra.

Deputetja, e cila ka propozuar amendamentet që obligojnë shoqëritë tregtare që të kenë 40 për qind femra në bordet udhëheqëse, Mimoza Kusari-Lila, tha se argumentet e presidentit, nuk janë të qëndrueshme.

“Argumentet e presidentit nuk qëndrojnë, sepse ai ka injoruar nenin 24 të kushtetuese për parimet e të drejtat e grupeve që janë në pozitë të pabarabartë të cilat zbatohen deri në ndryshimin e pozitës. Kushtetuta kërkon që institucionet të garantojnë dhe respektojnë të drejtat e njeriut dhe trajtimin e barabartë. Sipas gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut nuk ndalon që një shtet të trajtojë një grup ndryshe, por në fakt kur ka pabarazi faktike është shteti ai që duhet të ndërmarr masa për përmirësimin e kësaj gjendje”, tha Kusari-Lila.

Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur kundër këtij amendamenti të propozuar nga Kusari-Lila.

“Në emër të PDK-së, unë ju njoftoj se do ta mbështesim rekomandimin e presidentit që në fakt është rekomandim i komisionit sepse siç e parasheh kushtetuta, komisioni i ka dhënë mbështetje këtij rekomandimi. Ky amendament nuk e ka në fokus fuqizimin e grave në bizneset e Kosovës, është një tendencë për të imponuar vendime në biznesin privat. Nuk e ndihmon funksionimin e lirshëm të biznesit në Kosovë dhe si i tillë do të duhej të votohej rekomandimi i komisionit e amendamenti i Mimoza Kusarit të hiqej nga projektligji”, tha Krasniqi.

Sipas tij, me këtë logjikë të imponimit po e ngushtojnë funksionimin dhe veprimin e lirshëm të bizneseve duke i imponuar kuotën gjinore, të cilat do të duhej të vinin në mënyrë të natyrshme.

Ndërsa, deputetja Fatmire Mullhaxha-Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se janë kundër vendimit të presidentit dhe pro amendamentit të propozuar nga deputetja Kusari-Lila.

Imponim dhe jo barazi e ka quajtur deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, vendosjen e kuotës për bizneset private.