Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur mbështetjen për rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, për lirimin e menjëhershëm të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Dua të përshëndes edhe në emrin tuaj dhe të gjithë Kuvendit të Shqipërisë, Rezolutën e sapo miratuar nga Parlamenti i Kosovës që kërkon lirimin pa kushte të z. Haradinaj”, ka deklaruar kryetari Ilir Meta në përfundim të seancës plenare, njofton Top Channel.
Me nismën e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Kuvendi i Kosovës miratoi këtë të enjte një rezolutë që kërkon lirimin pa kushte dhe sa më shpejt të ish-kryeministrit të Kosovës, duke e konsideruar atë si detyrë primare shtetërore.