Ky është numri i personave që do të kthehen në Kosovë, të gjithë do të futen në karantinë

Ky është numri i personave që do të kthehen në Kosovë, të gjithë do të futen në karantinë

Qindra shtetas të Republikës së Kosovës janë kthyer tashmë në vendlindje, dhe disa qindra të tjerë do të kthehen gjatë ditëve në vijim, pasi në pamundësi për të lëvizur, ngecën nëpër aeroporte ndërkombëtare apo vendet ku ndodheshin për vizitë, punë, trajnime apo shkollim.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjithë kjo ndodhi, pasi qeveritë e shumicës së shteteve evropiane të Evropës dhe më gjerë, përfshirë edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, ndaluan fluturimet ndërkombëtare, mbyllën kufijtë shtetëror dhe morën masa të tjera për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19 dhe mbrojtjen prej tij.

Me punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ambasadave dhe Konsullatave të Republikës së Kosovës nëpër botë, menjëherë, me anë të komunikimit përmes numrave emergjentë, adresave elektronike e rrjeteve sociale, u bë identifikimi dhe ofrua ndihma të gjithë shtetasve tanë që kishin mbetur nëpër aeroportet e huaja.

Shërbimi i Jashtëm diplomatik i Republikës së Kosovës, me udhëzim të Ministrisë, arriti marrëveshje mirëkuptimi me shtete të ndryshme, që t’ju vazhdohet leja e qëndrimit shtetasve kosovarë që kanë mundësi të qëndrojnë. Po ashtu, misionet tona regjistruan në listë për kthim të gjithë shtetasit që konsideroheshin raste emergjente dhe të cilët vendbanim të përhershëm kanë Republikën e Kosovës.

Për kthim në Kosovë u regjistruan: në Zvicër – 481 veta; në Gjermani – 420 veta; në Turqi – 259 veta; Suedi/Finlandë – 116 veta; Belgjikë – 84 veta; Mbretëri e Bashkuar – 61; Shtetet e Bashkuara të Amerikës – po ashtu 61 veta; Slloveni – 58 veta, Francë – 46 veta, dhe dhjetëra shtetas që ndodheshin në disa shtete të tjera.

Bëjmë të ditur se kthimi në këtë kohë varet nga masat që janë marrë prej shteteve të ndryshme dhe kapacitetet që ofrohen për karranitnim pas kthimit, meqë siç dihet tashmë, kushdo që aktualisht hyn në Kosovë, detyrohet që 14 ditë të qëndrojë i mbyllur në karantinën e caktuar nga institucionet përkatëse./Insajderi.com