Një bastisje e ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen “Pejton” të Prishtinës ktheu në vëmendje djemtë e Sabit Gecit, ish-komandantit të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi njëri prej djemve të tij dyshohet të jetë i përfshirë në një rrjet të krimit të organizuar dhe fajde në Prishtinë.
Bastisja në shtëpinë e Geci rezultoi të mos ketë qenë e suksesshme për Policinë. I dyshuari Alban Geci nuk arriti të kapet nga njësia speciale dhe i njëjti tash ndodhet në arrati.
Pak orë pas aksionit, Policia e Kosovës njoftoi se gjatë gjithë aksionit që ndodhi në disa lokacione të ndryshme të Prishtinës, të enjten arrestoi gjithsej pesë të dyshuar për këtë krim.
Ndërkohë, njoftoi se është vënë në ndjekje të dy personave tjerë të dyshuar si pjesë e të njëjtit grup. Njëri prej të arratisurve është Alban Geci, djali i ish-komandantit të UÇK-së.
Sipas policisë, të dyshuarit e arrestuar gjatë operacionit policor janë, D. B. (1968), Rr. B. (1995), I. S. (1988), L. B. (1978) dhe B. G. (1981).
Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar si prova materiale 16 mijë Euro para të gatshme, pesë vetura, një motor udhëtarësh, 10 telefona celularë, 1 laptop, dy DVR, 12 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 4 shtëpiza kompjuteri, 4 aparate të lojërave të fatit, si dhe dokumente tjera të cilat mund të përdoren për vazhdim të procedurës penale.
Pesë të arrestuari dhe dy të arratisurit po dyshohen për përfshirje në veprat penale “fajde”, “detyrim”, “kanosje” dhe “krim të organizuar”.
Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.