Qeveria e Kosovës e ka publikuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Ky Projektligj është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në këtë projektligj specifikohet detyrat e Delegacionit shtetëror për bisedime me shtetin serb, transmeton Insajderi.
Në njërën pikë të këtij ligji, thuhet se në çdo takim mes dy shteteve, do të jenë prezentë edhe anëtarët e ekipit të dialogut.
“Në rastet kur ndonjërit nga Institucionet Kushtetuese të Republikës së Kosovës (Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari, etj.) i dërgohet ftesë formale nga ana e ndërmjetësuesit në procesin e Dialogut, vendimi për të do të merret gjithnjë në bashkërendim dhe dakordim në mes të Delegacionit Shtetëror dhe institucionit kushtetues të ftuar. Në çdo takim të tillë, përveç institucionit të ftuar të pranishëm do të jenë edhe bashkëdrejtuesit e Delegacionit Shtetëror”, thuhet në Projektligj.
Në nenet e këtij ligji janë bërë të ditura detyrat që i ka Delegacioni Shtetëror.
“Drejton procesin e dialogut me Serbinë; Përfaqëson Republikën e Kosovës në Dialog; Miraton Strategjinë e përgjithshme Negociuese si dhe strategjitë e veçanta për temat e Dialogut; Bashkërendon agjendën e Dialogut me Platformën Shtetërore në dakordancë me lehtësuesit/ndërmjetësuesit e Dialogut; Bashkërendon takimet me krerët e tjerë institucionalë (President, Kryeministër, Kryetar i Kuvendit, Ministra etj.) kurdo që e konsideron të nevojshme mbajtjen e tyre; I raporton Komisionit Mbikëqyrës të Kuvendit pas çdo takimi me delegacionin e Republikës së Serbisë, dhe/ose me lehtësuesit/ndërmjetësuesit e Dialogut; Miraton pozicionet fillestare negociuese të Republikës së Kosovës për secilën temë të Dialogut”, thuhet në Projektligjin e Dialogut.
Ligjin të plotë mund ta lexoni KËTU