Ky pritet të jetë moti në Kosovë të premten dhe të shtunën

Ky pritet të jetë moti në Kosovë të premten dhe të shtunën

Në ditët e ardhshme rajoni ynë do të dominohet nga zonat anticiklonike që do të kushtëzojnë mot të thatë dhe kryesisht me diell, bën të ditur Prishtina Weather.

Shërbimi i meteorologjisë njofton se nga Mesdheu do të depërtojnë rryma të ngrohta ajrore që sjellin mot të butë dhe temperatura ndjeshëm më të larta për këtë periudhë kohore.

PW paralajmëron se “orëve të mëngjesit do të mbajë mot i ftohtë dhe me ngrica, mirëpo gjatë ditës temperaturat maksimale do të arrijnë edhe mbi 10C. Mot i butë parashihet edhe ditëve të para të javës së ardhshme, e ditën e martë temperaturat maksimale pritet të arrijnë edhe deri në 15C”.

Sipas parashikimeve të ditëve të fundit, nga mesi i javës së ardhshme ekzistojnë kushte për një depërtim të masave polare të ftohta ajrore nga veriu i kontinentit, që do të sjellin mot më dimëror dhe mundësi për reshje borë. Vlerat ditore të cilësisë së ajrit në ditët e ardhshme do të luhaten përreth vlerave mesatare, por kohë pas kohe mund të kalojnë edhe në vlera të pashëndetshme, thekson PW.

Parashikimi për 31 janarin dhe 1 shkurtin:

31.01.2020 – Në mëngjes ftohtë dhe me ngrica. Ditën butë dhe kryesisht kthjellët. Pasdite me vranësira kalimtare. Erë mesatare nga jugperëndimi dhe veriperëndimi 2-10m/s. Indeksi UV: 2.

1.02.2020 – Paradite vranësira të pjesshme. Ditën mot i butë dhe kryesisht me diell. Erë e lehtë nga jugperëndimi 1-4m/s. Indeksi UV: 2. /Insajderi.com