Ishujt Solomon kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës

Ishujt Solomon kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës

Shteti nga Oqeania, Ishujt Solom ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, përmes një note që ky shtet i ka dërguar Republikës së Kosovës.

KTV ka siguruar këtë tërheqje të njohjes, të cilën e kanë pranuar institucionet e Kosovës.

Notën diplomatike të Ishujve Solomon më 28 nëntor e ka pranuar Ambasada e Kosovës në Canberra të Australisë. Në fakt, janë dy shkresa, e para e zyrës së Ishujve Solomon në Australi që thotë se po ia dërgon Kosovës vendimin për tërheqjen e njohjes nga ana e Ministrisë së Jashtme të këtij shteti.

Në notën diplomatike 02./18, Ministria e Jashtme e Ishujve Solomon fillimisht i referohet vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në prill 2015.

Më pas, njofton për vendimin e marrë dhe arsyet për këtë.

“Ministria e Jashtme dhe për Tregti të Jashtme e Ishujve Solomon, e ka nderin të informojë Ministrinë e Jashtme të Republikës së Kosovës, që pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe duke marrë parasysh vazhdimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për statusin final të Kosovës dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, qeveria e Ishujve Solomon ka vendosur ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Vendimi i marrë nga Ishujt Solomon mbetet në fuqi derisa të përfundojnë negociatat nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, thuhet në letër.

Ministria e Jashtme në Prishtinë ka mohuar ta ketë marrë këtë dokument. Drejtori i Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Sami Kastrati ka thënë se MPJ nuk ka pranuar një letër të tillë.

Ndërkaq, shteti i Serbisë pretendon se disa shtete si, Grenada, Dominika, Suriname, Liberia, Sao Tome dhe Principe, Guinea – Bissau, Burundi, Papua New Guinea dhe Lesoto e kanë kthyer mbrapsht vendimin e tyre për njohjen e Republikës së Kosovës.

Ministria që udhëhiqet nga Pacolli vazhdimisht i ka quajtur lajmet të rrejshme dhe e ka akuzuar Serbinë se i ka falsifikuar letrat e tërheqjes së njohjeve që i drejtoheshin Ministrisë së Jashtme të Serbisë.