
Koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka bërë të ditur se nesër do të organizojë tryezë diskutimi si mundësi për të gjetur zgjidhje për tejkalimin e bllokadës politike në Kosovë.
Ftesa u është bërë të gjitha partive politike përveç atyre të koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN).
Nisur nga kjo gjendje e bllokadës lidhur me formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet, Koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa (Koalicioni LAA), organizon tryezë diskutimi më datë 16 gusht 2017, në orën 11.00, në sallën N-409 (Salla Alternative) në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftimin i cili është dërguar në emër të koalicionit LAA.
“Qëllimi i tryezës është diskutimi dhe propozimi i modaliteteve për gjetjen e zgjidhjes në të cilën është futur Kuvendi i Kosovës që nga certifikimi i rezultateve zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme”, thuhet më tej në njoftim.
Në këtë takim janë ftuar të gjitha partitë tjera përveç atyre të koalicionit PAN.
“Në tryezë janë ftuar deputetët e koalicionit LAA, të Lëvizjes Vetëvendosje dhe minoriteteve, si dhe ekspertë të së drejtës kushtetuese nga shoqëria civile dhe nga fusha akademike”, thuhet aty.
Për më tepër, Shefi i Grupit Parlamentar të koalicionit LAA, Avdullah Hoti paralajmëroi se një tryezë e tillë do të organizohet ditëve në vijim.