Laboratorët privatë po i detyrojnë qytetarët t’i bëjnë nga dy testime për Covid-19

Laboratorët privatë po i detyrojnë qytetarët t’i bëjnë nga dy testime për Covid-19

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka pranuar rreth 20 ankesa nga qytetarët e Kosovës lidhur me ofrimin e shërbimeve për testime për COVID-19, në institucionet shëndetësore private.

Ankesat janë bërë lidhur me mungesën e dhënies së informacioneve për qytetarët rreth llojllojshmërisë së testeve.

Ata ankohen se në mungesë të informacioneve qytetarët po detyrohen t’i bëjnë disa lloje të testeve për të vërtetuar se a janë të infektuar me virus apo jo.

Por edhe çmimet me të cilat po ofrohen për këto testime po konsiderohen të papërballueshme për xhepin e qytetarëve.

Valentina Demolli nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se tashmë çmimi i testimeve për një individë po shkon edhe deri në 70 euro.

Ajo ka kërkuar nga ministria e Shëndetësisë që të bëjnë monitorim strik se si po u ofrohen qytetarët për kryerjen e testeve për COVID-19 në institucionet private.

“Sidomos këtë javë kemi pranuar goxha shumë ankesa prej qytetarëve të Kosovës, për shkak se institucionet private që janë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë nuk po u japin informatat e mjaftueshme dhe të nevojshme qytetarëve për të bërë testimet për shkak se në bazë të ankesave që kemi pranuar nga disa qytetar në këto laboratorët fillimisht po u ofrohet një testim prej 20 eurosh dhe i cili nuk po vërteton nëse e ke aktiv virusin apo jo. Më pas sipas deklarimeve të qytetarëve përmes ankesave në KMDLNJ atyre po u thuhet që përveç kësaj do të duhej të bëhej edhe testi tjetër që vërteton nëse e ke virusin aktiv apo jo që shkon në vlerë prej 50 euro. Tashmë nuk po flasim për çmimin prej 50 eurosh për një testim për qytetarët, por po shkon deri në 70 euro e më tepër….Vetëm në dy javët e fundit diku rreth 20 ankesa që kemi pranuar prej qytetarëve që kanë të bëjmë me testimet në institucionet private, për të cilat po pohohet se ka mungesë të informacionit”, tha ajo.

Demolli tha se edhe ashtu çmimi i ofrimit të këtyre shërbimeve në laboratorët privatë është i lartë marrë parasysh edhe gjendjen e ekonomive familjare pas periudhës së pandemisë.

Ajo këshillon që sidomos për familjet me asistencë sociale të ofrohen këto testimet serologjike dhe PCR pa pagesë. /Insajderi.com