“Labyrinth” dyshohet se po i bënë të varur njerëzit nga metadoni

“Labyrinth” dyshohet se po i bënë të varur njerëzit nga metadoni

Përdoruesit e drogës në Kosovë, të cilët kërkojnë të largohen prej saj, kanë krijuar varësi nga metadoni. Prej vitesh trajtohen me metadon për t’u shkëputur prej drogës, por varësia prej tij është e madhe.

Në qendrën “Labyirinth”, e cila ka tre pika në Kosovë, në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë trajtohen rreth 1 mijë e 400 pacientë, 100 prej të cilëve janë pacientë të përhershëm.

Ne qendrën “Labyrinth”, sipas një personi të intervistuar nga “Fiks Fare”, pacientëve u japin gjatë fundjavës disa doza njëherësh, pasi qendra është e mbyllur dhe nuk ofron shërbim të shtunën dhe të dielën. Këtë e pohon një nga pacientët e qendrës dhe një punonjëse e qendrës.

Sipas pacientit, qëllimi i punonjësve të qendrës është që t’i mbajnë sa më gjatë të regjistruar në qendrën e rehabilitimit. Madje tregon se për dy vjet ka punuar pranë qendrës , por e larguan nga puna, pasi ngriti zërin për disa padrejtësi që bëheshin në këtë qendër. Një ndër të cilat , sipas tij, ishte regjistrimi i personave pa qenë fare pjesë e kësaj qendre.

Një ndërtesë e rrënuar në Prishtinë shërben si strehë për përdoruesit e drogës, të cilët larg syve të familjarëve të tyre injektojnë në vena metadonin që marrin pranë qendrës Labyrinth edhe pse është lëng që duhet të merret nga goja dhe nuk duhet të injektohet.

Gazetarët gjejnë dy persona që po injektonin metadonin, ndërkohë që vendi është i mbushur me shiringa. Ata tregojnë se  e kanë të pamundur të  largohen nga metadoni.

“U larguam nga heroina por nga metadoni është e pamundur”, flasin në dëshpërim e sipër teksa injektojnë dozën.

Metadoni shitet në farmaci pa recetë

Farmacistët merren vesh me klientin e tyre që kërkonte metadon me kode. Kur ai i kërkon një të “vogël” i shesin shishet e metadonit alkaloid 10 mg 6 euro shishja. Nuk i kërkojnë recetë nga mjeku, edhe pse është e ndaluar të shitet. Merr nga dy doza (dy shishe) metadon në çdo farmaci pa paraqitur asnjë recetë apo rekomandim të mjekut. Ai tregon me dhimbje se u shkëput nga heroina, por nga metadoni nuk po shkëputet dot.

Asnjë prej tyre, pohon një punonjëse e qendrës në Prishtinë, nuk ka mundur të shkëputet nga qendra. “Fiks Fare” shkoi në Prishtinë në qendrën “Labyrinth”. Një pacient i kësaj qendre që prej vitit 2012, përdorues i heroinës për më shumë se 10 vjet, tregon se varësia që ai dhe pacientët e tjerë të qendrës nga metadoni është shumë e madhe.