Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se lagjja “Kalabria” në Prishtinë, Fushë Kosova, Obliqi dhe Drenasi do të kenë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm, njofton Insajderi.
Siç bëhet e ditur në njoftim, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ditëve të fundit, janë rritur edhe rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore dhe pastaj të njëjtat në disa raste kanë përfunduar te kanali i Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i papërpunuar për tu trajtuar pastaj për pije (FPU Shkabaj).
Ndërsa, si shkak i kësaj ka rritje të turbullirës, nivel që bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë.
“Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije, jemi të detyruar të ndërpremë furnizimin me ujë të pijshëm , duke filluar nga ora 09:30 për Fushë Kosovën dhe lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë. Përveç ndërprerjes së detyrueshme të furnizimit me ujë të pijshëm për këto dy zona, ndërprerje do të kenë edhe Obiliqi dhe Drenasi”, thuhet në njoftim.
Tutje, nga ujësjellësi thonë se në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit, do të rikthehet gjendja normale me trajtim dhe furnizim./Insajderi.com