“Lahuta nuk është pasuri e vetëm e popullit”

Shkruan: Prof. Dr. Zymer Neziri

“Lahuta nuk është pasuri e vetëm e popullit”

Po, ishte lajm i keq ky për miratimin e nominimit të lahutës si pasuri serbe në UNESCO. Ndonëse ajo e ka vendin aty, në UNESCO, por nuk është edhe pasuri vetëm e një populli.

Vlerësuesit e projektit kanë vepruar edhe politikisht në sesionin e 13-të të Komitetit Ndër­qe­veritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Jomateriale, lidhur me lahutën, e jo me këngën serbe, ku u bë regjistrimi i nomini­mit të projektit “Të kënduarit në shoqërimin e lahutës’’, paraqitur nga Serbia, në Listën Përfaqë­su­ese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

Lahuta bën pjesë ndër veglat më të vjetra kordofone me një tel. E kanë vlerësur edhe etnomu­ziklogët tanë të njohur, Ramadan Sokoli, Pirro Miso, epikologët Qemal Haxhihasani, Anton Çe­tta, Enver Mehmeti, Shaban Sinani etj. Ajo ka pasur përhapje të ma­dhe në Ev­ropë e jashtë saj. Dësh­mi janë emrat e saj në gjuhët e disa popujve.

Te shqiptarët, nderimi për lahutën është i madh. Ekziston edhe kulti ndaj saj. Dhe, ajo zbu­ku­rohet me gdhendjen e figurës së njohur të kultit ilir të gjarprit. Zbukurimimi i saj bëhet edhe me portretin e gdhendur të Gjergj Kastriotit dhe e shton krenarinë e dëgjuesve të këngëve epike me historinë e fam­sh­me të fitoreve të popullit shqiptar para rreth gjashtë she­kujsh. Ajo zbukurohet edhe me portrete të figurave të tjera të shquara të dy shekujve të fundit, nga Rilindja e deri te UÇK-ja dhe Adem Jashari. Ajo e ka vendin më të rëndësishëm në odën e burrave. Varej mbi oxhak dhe asgjë tjetër nuk varej mbi të.

Pra, lahuta nuk është instrument muzikor vetëm i serbëve. Janë disa popuj që sot e përdorin la­hu­tën, kur­se shqiptarët e përdorin në pesë shtete të Ballkanit: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni Perëndi­mo­re, si dhe në viset shqiptare në Serbi e në Mal të Zi, sidomos për shoqërimin e kën­gëve të Epo­sit të Kresh­ni­këve, kryevlerë e gjallë e krijimtarisë gojore shqiptare dhe evropiane.

Eposi i Kresh­ni­këve është ndër të vetmet epose heroike të gjalla në epikën evropiane. Kjo u dëshmua edhe me projektin tonë E5, 2012-2016, në Ballkan, që solli 15 vëllime të reja të Eposit të Kreshnikëve në arkivin e fondit kombëtar, nga rreth 300 rapsodë e tregimtarë në pesë shtete të Ballkanit. Projekti u vlerësua nga Europa No­stra në Madrid, në maj 2016, me Mendim Special, në kategorinë hulumtim. Ky projekt është pjesë e dosjes për nominimin e këtyre këngë­ve në UNESCO, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

Dosja qeveritare e kryer e Eposit të Kreshnikëve, në fillim të vitit 2013, e nisur më 2009 në Institutin Albanologjik të Prishtinës, u realizua nga ekipi i ekspertëve të Prishtinës dhe të Tira­nës, prof. dr. Shaban Sinani, akad. prof. dr. Vasil Tole dhe prof. dr. Zymer Neziri (kryesues), por nuk u dorë­zua në UNESCO, para afër 6 vjetësh.

Dosja i ka të gjitha argumentet se Eposi i Kreshnikëve duhet te shpallet vlerë eTrashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO, kurse institucionet tona duhet të punojnë ba­shkë edhe në projekte të tjera për UNESCO, siç janë gjama e burrave, xhubleta etj.

Dorëzimin qeveritar të Dosjes qeveritare të Eposit të Kreshnikëve duhej ta bënte Tirana, më 2013, me pëlqimin qe­v­eritar të Prishtinës, por pëlqimin nuk e pati. Kosova as sot nuk e ka statu­sin e anë­tarit në UNESCO, prandaj atje nuk shkon dot as tash me Tiranën së bashku. Por, as tash nuk është vonë që këtë ta bëjë Tirana, me pëlqimin qeveritar të Prishtinës, së cilës nuk bën t’i mo­ho­het asesi kjo e drejtë, sepse është pasuri e përbashkët e kombit shqiptar.