Lajçak: 10 vjet bisedime për marrëveshje të rëndësishme

Lajçak: 10 vjet bisedime për marrëveshje të rëndësishme

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se sot janë bërë 10 vjet që kur palët nga Prishtina dhe Beogradi janë ulur në tavolinën e dialogut, njofton Insajderi.

Këtë përkujtim Lajçak e bëri me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter.

“10 vjet pasi palët u ulën për herë të parë në Bruksel, dialogu solli marrëveshje të rëndësishme”, ka shkruar ai.

“Ata bënë një ndryshim real për njerëzit në Kosovë dhe Serbi, për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për aspiratat evropiane të një rajoni të tërë”, ka shkruar tutje Lajçak.

Ndryshe, siç deklaroi ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, rikthimi në tavolinën e dialogut pritet të ndodhë në fillim të majit për çka janë shprehur të gatshme të dy palët. /Insajderi.com