Lajçak: Asociacioni pjesë e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

Lajçak: Asociacioni pjesë e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

“Marrëveshja është arritur në Bruksel, por nuk është implementuar. Është edhe opinioni i Gjykatës Kushtetuese, gjykata ka thënë se duhet të implementohet. Hapi i radhës duhet të diskutohet. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes në Bruksel”.

Kështu deklaroi i dërguari special i Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak.

Ai në ditën e tretë njëkohësisht të fundit të vizitës zyrtare në Kosovë mbajti një konferencë për media pas takimeve që kishte me përfaqësuesit institucionalë e liderët partiakë.

Bashkimi Evropian këmbëngul për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një marrëveshje që Prishtina e ka ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015. Por, më pastaj disa pika të saj dolën të jenë anti-kushtetuese.

Lajçak u zotua se Asociacioni duhet të implementohet pas arritjes së marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Asociacioni duhet të implementohet pas nënshkrimit të marrëveshjes, por detajet duhet të diskutohen si pjesë e negocionit të marrëveshjes, sepse nuk mund ta nënshkruajmë sot dhe ta diskutojmë pas nesër. Pra duhet ta diskutojmë dhe pastaj të implementohet. Dhe kjo do të ndodh gjatë negociatave. Partneret e konfirmuan se partneret janë dakorduar dhe kjo do të diskutohet”, tha ai. /Insajderi.com