Lajçak e Palmer me vizitë sot në Kosovë

Lajçak e Palmer me vizitë sot në Kosovë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, do të vizitojnë Kosovën sot, njofton Insajderi.

Për vizitën dy-ditore të Lajçak, më 31 maj dhe 1 qershor, ka njoftuar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite diplomati sllovak do të ketë takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministren e dytë dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla.

Lajçak gjithashtu do të takohet me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe do t’u drejtohet shefave të Misioneve të BE-së.

Ndërkaq, bashkë me Palmer, ata të dy do t’iu drejtohen mediave të martën, më 1 qershor, në orën 10:45, në zyrën e BE-së.

Lajçak e Palmer ishin takuar më 26 maj në Bruksel, ku ndër tjera kishin biseduar edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. /Insajderi.com