Lajçak: Ideja e shkëmbimit të territoreve e shekullit të 19-të

Lajçak: Ideja e shkëmbimit të territoreve e shekullit të 19-të

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shpreson në një bashkërendim më të mirë midis Brukselit dhe Uashtingtonit lidhur me Ballkanin, me ardhjen në fuqi të administratës së re amerikane, transmeton Insajderi.

Kështu u shpreh ai në një diskutim virtual të organizuar nga Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare e Universitetit Johns Hopkins, ku tha se një alternativë që nuk do t’i plotësonte këto parametra sipas tij ishte ideja e shkëmbimit të territoreve.

“Me zgjedhjen e një presidenti të ri dhe administratës, ne presim që të kthehemi në pozicionin shumë të mirë të bashkëpunimit më të afërt të mundshëm me partnerët tanë të SH.B.A.-së në të mirë të vendeve dhe popujve të rajonit”, tha Lajçak, raporton Zëri i Amerikës.

Ai tha se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për arritjen e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe se deri tani kishte pyetje në rajon lidhur me ato që dukeshin si qëndrime të ndryshme nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.

Lajçak tha se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të kontribuonte pa dyshim në stabilizimin e rajonit “sepse së pari ka serbë dhe shqiptarë që jetojnë në çdo vend të rajonit dhe së dyti, natyrisht cilindo model të zbatojmë në këtë dialog dypalësh, ai mund të jetë me interes për fqinjët”.

Ai  tha se çdo marrëveshje që mund të arrihet mes palëve duhet “të jetë e bazuar në parimet dhe vlerat evropiane sepse përveç normalizimit të marrëdhënieve, qëllimi po aq i rëndësishëm është t’i afrojë Kosovën dhe Serbinë më pranë Bashkimit Evropian”.

I dërguari i posaçëm i BE-së për bisedimet e pranoi se të dyja palët e interpretojnë ndryshe normalizimin me Kosovën që e ka bërë të qartë që do njohjen e plotë dhe Serbia që pyet se çfarë do të marrë në këmbim.

“Nuk është e lehtë sepse kemi të bëjmë me çështje të shtetësisë, identitetit dhe askush nuk dëshiron të dalë si humbës,por interesi ynë nuk është të kemi një fitues dhe një humbës. Interesi ynë është që të gjithë të fitojnë në këtë proces”.

“Ne jemi këtu për të qenë pjesë e një zgjidhjeje evropiane, një zgjidhje për shekullin 21 dhe jo zgjidhja që bazohet në shekullin e 19-të”.

Por ai shtoi se në të njëjtën kohë ndërmjetësit nuk mund ta dëshirojnë marrëveshjen më shumë sesa e dëshirojnë palët dhe se palët duhet ta duan normalizimin që ai të arrihet dhe ai mendon se në këtë moment të dyja palët e duan një gjë të tillë. /Insajderi.com