Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti ndryshojnë në qasjen e tyre karshi Bashkimit Evropian. Njëjtë edhe në raportet e tyre me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi. Njëri flet me të, tjetri jo.
Kosovën nesër pritet ta vizitojë Miroslav Lajçak, përfaqësues special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, por para vizitës së tij ai ka komunikuar vetëm me kryeministrin e Kosovës jo edhe me presidentin, njofton Insajderi.
Kryeministri Avdullah Hoti u pyet për vizitën e sllovakut dhe e konfirmoi se e pret nesër në vizitë, gjithashtu se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me të.
“Lajçak vjen nesër në Prishtinë. Kam qenë në komunikim me të gjatë javës së kaluar. Ngadalë, po unifikohet qëndrimi i të gjitha institucioneve karshi procesit të dialogut”, deklaroi Hoti.
Ndryshe nga kryeministri, presidenti Hashim Thaçi, thotë se s’ka pasur kurrfarë komunikimi me zyrtarin e BE-së, paçka se do ta mirëpresë vizitën e tij, gjithmonë nëse Lajçak po vjen në Kosovë duke e konsideruar shtet të pavarur.
“Nuk jam informuar me përmbajtjen dhe agjendën e vizitës së Miroslav Lajçakut në Kosovë”, ka deklaruar Thaçi.
Duke shtuar se “ai (Lajcak) duhet të kuptojë se Kosova është e pavarur dhe sovrane, nëse vjen me këtë qasje, është i mirëseardhur, çdo qasje tjetër është qasje e dështimit të tij në Kosovë dhe e Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi./Insajderi.com