Lajçak: Kosova ka përfituar nga dialogu me Serbinë

Lajçak: Kosova ka përfituar nga dialogu me Serbinë

I dërguari Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se “Prishtina ka përfituar shumë nga dialogu me Beogradin”.

Këto komente ai i bëri gjatë një konference “Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës, Kthimi në Shtegun e Djathtë” të organizuar nga Qendra e Brukselit për Politikat Evropiane (EPC) dhe Misioni Amerika.

Lajçak si gjë të dobishme për Kosovën e përmendi edhe kodin telefonik.

“Dialogu me Serbinë i ka sjellë Kosovës shumë përfitime. Përmes këtij dialogu Kosova ka kontrollin në të gjithë territorin dhe kufijtë e saj, pastaj ka fituar kodin telefonik +383 dhe prezantim si palë e barabartë në nisma rajonale”, ka thënë ai.

Ditë më parë është zhvilluar një takim i nivelit teknik ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit dhe Drejtorit të së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviç.

Nuk dihet se kur do të zhvillohet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Deri më tash ata janë takuar dy herë dhe në të vetmen gjë që kanë gjetur pajtim ka qenë që të takohen përsëri. /Insajderi.com