Lajçak: Kurti e di mirë se çfarë pritet prej tij, deklaratat s’duhet t’i dramatizohen

Lajçak: Kurti e di mirë se çfarë pritet prej tij, deklaratat s’duhet t’i dramatizohen

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, thotë se fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, Albin Kurti, e di mirë se çfarë pritet prej tij, transmeton Insajderi

Në një intervistë për të përditshmen serbe ‘Tanjug’, Lajçak thotë se deklaratat e para të Kurtit mbi vazhdimin e dialogut “nuk duhet të dramatizohen”.

“Ai u zgjodh për të zgjidhur disa çështje të brendshme të Kosovës, të tilla si korrupsioni, drejtësia dhe çështjet sociale, dhe ai e di shumë mirë se bashkësia ndërkombëtare, BE dhe Shtetet e Bashkuara presin që dialogu të vazhdojë, dhe ai është i gatshëm për këtë”, tha Lajçak.

Ai tutje u shpreh se në këtë vizitë nuk po vjen me një “ultimatum”.

Lajçak raportohet të ketë thënë se Serbia nuk duhet të ketë frikë nga bashkëpunimi i ripërtërirë midis BE-së dhe SHBA-ve në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe se ai është bindur se ka vend në të cilin Beogradi dhe Prishtina mund të bien dakord mbi marrëdhëniet e ndërsjella.

“Nuk është sekret që unë pres që BE të vazhdojë dialogun dhe se dialogu është i pashmangshëm për Beogradin dhe Prishtinën në rrugën e BE. BE është këtu, ne jemi gati të sjellim dy udhëheqës në Bruksel dhe tani pyetja është kur do të ndodhë. Unë e dëgjoj përgjigjen gjatë vizitës”, thotë Lajçak.

Kur u pyet se si BE, si ndërmjetësi kryesor në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, e sheh insistimin amerikan për “njohjen e ndërsjellë”, Lajçak tha se qëllimi i dialogut është normalizimi i marrëdhënieve dhe se Beogradi dhe Prishtina janë palë të bien dakord mbi “çfarë është normalizimi dhe çfarë është normale”.

“Unë nuk mendoj se përgjigja për atë pyetje është shumë e vështirë,” tha Lajçak. /Insajderi.com