I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se me president Vjosa Osmani, ndër të tjera janë pajtuar që të përshpejtohet puna për të zbardhur fatin e të pagjeturve.
Këtë deklaratë Lajçak e ka bërë pas takimit që ka zhvilluar me Osmanin dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të hënën në Prishtinë.
“Në Kosovë, së bashku me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarin jemi takuar me presidenten Vjosa Osmanin dhe ndër të tjera ramë dakord për nevojën e përshpejtimit të punës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, ka shkruar ai në Twitter.
Në anën tjetër, presidentja Osmani pas takimit me dy emisarët, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit.
“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jo konstruktive”, ka thënë Presidentja Osmani./Insajderi.com