Lajçak më parë kishte hartë tjetër në zyrë, jo këtë pa Kosovën

Lajçak më parë kishte hartë tjetër në zyrë, jo këtë pa Kosovën

Harta e vendosur në zyrën e Emisarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë ditës së djeshme derisa po fliste për EWB, është ndërruar pas vetëm një muaji nga harta zyrtare e BE-së, e cila është në përputhje me pozicionin e Unionit për statusin neutral ndaj pavarësisë së Kosovës.

Kjo vërehet qartë dhe lehtë, mjafton të bëhet një krahasim i fotografive të publikuara nga vetë ai dje dhe më 12 janar derisa po zhvillonte një bisedë me ambasadën e Amerikës në Gjermani.

Gazeta Online Insajderi ka siguruar edhe fotografi nga të dy takimet ku mund të vërehet ndryshimi i hartës në prapavijën e zyrës së Lajçakut dhe në njërën nga to shihet se Kosova nuk është pjesë integrale e Serbisë.

Gjatë ditës së djeshme, i Dërguari i Posaçëm i BE-së për negociatat Kosovë-Serbi derisa po fliste për bisedimet midis këtyre dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas tij është vërejtur se harta që ishte e vendosur në mur po e mbante Kosovën “si pjesë” të Serbisë.

Kjo ka shfaqur reagime në Prishtinë, por një gjë e tillë ka rënë “në sy” edhe të mediave serbe.

E për këtë nuk kanë lënë pa reaguar edhe nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, është deklaruar pas raportimeve të mediave se Miroslav Lajçak, ndonëse ishte duke folur për bisedimet midis dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, po mbante pas një hartë ku shihej se këto dy vende në fakt ishin një.

Stano thotë për Gazetën Online Insajderi se “pretendimet e mediave lokale janë të rreme”.

Ai tha se harta zyrtare e BE-së në zyrën e EUSR-së është në përputhje me pozicionin e BE-së – statusi neutral.

“Unë do të rekomandoja të gjithë të përqendrohen në çështjet reale që ndihmojnë për të ecur përpara me Dialogun për normalizimin, në vend që të përpiqen të krijojnë histori të rreme”, ka thënë Stano. /Insajderi.com