Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, është duke qëndruar të martën në për vizitë në Beograd, transmeton Insajderi.com.
Në këtë vizitë, Lajçak do të ketë takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Sipas raportimeve të mediave në Serbi, përmes kësaj vizite, Lajçak sjell një mesazh se çfarë pret Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare nga vazhdimi i bisedimit për normalizim të marrëdhënieve.
Po ashtu, Lajçak do të përpiqet që të ketë një takim të mundshëm mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deri në fund të vitit 2021.
Kjo vizitë e Lajçakut në Beograd e më pas në Prishtinë vie si pasojë e debatit në Këshillin e BE-së për dialogun, por edhe pas një raundi tjetër të pasuksesshëm të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
“Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së do t’u përcjellë drejtpërdrejt të dyja palëve pritshmëritë e shprehura në debatin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm, ku ai vetë mori pjesë”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për Tanjug.
Ndërkaq, javën e kaluar, ministrat e BE-së, i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për angazhim konstruktiv dhe arritjen e rezultateve pozitive, duke këmbëngulur në zbatimin e detyrimeve ende të paplotësuara nga dialogu.