I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, do ta vizitojë Kosovën gjatë ditës së sotme.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për Shqip.com se Lajçak do të realizojnë një drekë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimin.
“Kryeministri Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi zhvillojnë sot një drekë pune me emisarin Lajcak”, tha Kryeziu për Shqip.com
Rreth vizitës së Lajçak në Prishtinë kanë folur edhe nga Bashkimi Evropian.
“Është pjesë integrale e punës së çdo Përfaqësuesi Special të BE-së për të takuar partnerë dhe për të vizituar kryeqytetet në rajon për të cilat Përfaqësuesi Special i BE-së është përgjegjës. Ne zakonisht as nuk bëjmë njoftime specifike për vizita të tilla pune dhe as nuk i komentojmë ato”, kanë thënë nga BE.
Lajçak e ka vizituar Kosovën 10 ditë më parë, kur ka zhvilluar një darkë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi.
Kohëve të fundit, zyrtarë të ndryshëm të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe kryediplomatin e BE-së, Josep Borell, kanë përshëndetur publikisht qëndrimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për propozimin e BE-së.
Këtë plan të BE-së e përkrahin plotësisht edhe Shtetet e Bashkuara, andaj Kosova dhe Serbia janë ftuar disa herë që jenë konstruktive në qasjen ndaj këtij propozimi.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
Në të njëjtën kohë, Kosovës është duke iu bërë kërkesa për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Mekanizmi ndërkombëtar beson se Kosova e ka marrë këtë obligim në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit dhe duhet zbatuar ato.
Kryeministri Kurti i ka prezantuar, gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit, por BE-ja nuk i ka komentuar ato.
Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.