Lajçak në Kuvend – pritet nga kryeparlamentari Konjufca

Lajçak në Kuvend – pritet nga kryeparlamentari Konjufca

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është pritur në takim të enjten nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, njofton Insajderi.com.

Ky takim po zhvillohet në ditën e dytë të vizitës së Lajçak në Kosovë.

Po ashtu diplomati i BE-së do të takohet edhe krerë të partive politikë në vend, kurse pasdite edhe me drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës.

Gjatë pasdites të së mërkurës, Lajçak u takua me kryeministrin Albin Kurti dhe më zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Pas takimit, Lajçak tha se nuk ka biseduar për hapjen e arkivave të Kosovës. Ai tha se është duke punuar për të caktuar një takim të radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurse Kurti vetëm përmes një komunikate për media ka dhënë detaje rreth këtij takimi.

Mbarëvajtja e procesit të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin temat e këtij takimi.

Kurti konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së, dhe perspektivën evropiane të rajonit. /Insajderi.com