Lajçak pas takimit me Thaçin: Ramë dakord që Kosova ka nevojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse

Lajçak pas takimit me Thaçin: Ramë dakord që Kosova ka nevojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse

“Ne ramë dakord që Kosova ka nevojë për dialog dhe ka nevojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

Kanë qenë fjalët e të dërguarit të Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Prishtinë.

Lajçak në Twitter, shkroi se “ka pasur një bisedë shumë të mirë dhe jashtëzakonisht të zgjuar me Presidentin”.

Diplomati evropian u takua me kreun e vendit gjatë ditës së dytë të vizitës së tij në Kosovë, njofton Insajderi.

Vizita e të deleguarit evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, erdhi pas raportimit që kishte të hënën para ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, pikërisht për këtë çështje.

Emisari i BE-së, ka theksuar vazhdimisht se synimi është “marrëveshje gjithëpërfshirëse”, të cilën “mund ta garantojë Bashkimit Evropian”. Për këtë kishte pretendime se “ekzistojnë” divergjencat në orientimin e dialogut në mes partnerëve euro-atlantik; Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimit Evropian. /Insajderi.com