I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se për të vazhduar procesi i dialogut me Serbinë duhet fillimisht të përfundojë procesi zgjedhor në Kosovë, njofton Insajderi.
“Nuk është momenti për të organizuar një takim të ri. Ne kemi nevojë për një qeveri të re me një mandat të fortë që do të vazhdojë procesin e dialogut”, tha Lajçak, gjatë një diskutimi virtual me ambasadoren gjermane në Uashington, Emily Haber, ku u diskutua për bashkëpunimin e SHBA-së dhe Evropës me Ballkanin Perëndimor.
Mirosllav Lajçak tha se askush nuk mund të garantojë që pas një marrëveshjeje të mundshme Kosovë-Serbi, pesë vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën, do ta njohin atë.
Kjo, sipas tij është një çështje e brendshme e këtyre vendeve megjithëse, siç tha, ka sinjale se ato po përcjellin me vemendje procesin e dialogut.
“Si ish- ministër i Jashtëm i Sllovakisë, kur me pyesnin se kur do ta njohë vendi im Kosovën, unë ju thoja: me jepni një lajm të mirë, në mënyrë që të shkojë në parlament t’ju them ka ardhur koha të konsiderojmë pozicionin tonë. Pra, qartazi lajmi i mirë është marrëveshja me Serbinë”, tha Lajçak./Insajderi.com