Lajçak përfundon vizitën në Kosovë, gjatë javës do të shkojë edhe në Beograd

Lajçak përfundon vizitën në Kosovë, gjatë javës do të shkojë edhe në Beograd

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka përmbyllur vizitën e tij dy ditore në Kosovë, shkruan Insajderi.

Ndërmjetësuesi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, pas vizitës në Prishtinë do të zhvillojë një të tillë gjatë kësaj jave edhe Beograd për të vazhduar përgatitjet për takimin e nivelit të lartë.

Vizitën e tij në Kosovë, Lajçak e zhvilloi si pjesë të përgatitjeve të nevojshme për takimin e nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë të planifikuar për në fund të këtij muaji.

Ky ishte fokusi i konsultimeve të tij me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, zëvendëskryeministrin e Parë për Integrimin Evropian, Zhvillimin dhe Dialogun Bislimi, zëvendëskryeministren e Dytë, Ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Gërvalla.

“Lajçak, u takua me udhëheqësit e Kosovës për të bërë përgatitjet për takimin e parë të nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë i cili është planifikuar të mbahet në fund të këtij muaji”, thuhet në njoftimin për media nga zyra e BE-së në Kosovë.

Në Kosovë, Ambasadorit Lajçak iu bashkua Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun dhe Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor./Insajderi.com