Lajçak: Përvoja e Thaçit ndihmesë për progres në dialog – Presidenti thotë se duhet të ketë njohje reciproke

Lajçak: Përvoja e Thaçit ndihmesë për progres në dialog – Presidenti thotë se duhet të ketë njohje reciproke

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është deklaruar rreth bisedës së tij të sotme me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Twitter, Lajçak tha se përvoja e presidentit Thaçi në procesin e dialogut mund të ndihmojë këtë proces mes të dyja vendeve.

“Kisha një bisedë të dobishme përmes video-konferencës me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, këtë mëngjes. E informova atë për të arriturat prej kohës në dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

“Përvoja e tij e gjerë në procesin e dialogut mund të jetë ndihmesë për progresin e mëtejmë në këtë proces”, ka shkruar tutje ai.

Nga ana tjetër, për këtë diskutim është deklaruar edhe Thaçi, i cili tha se Kosova është e përkushtuar për një dialog për njohje reciproke – si mënyrë e vetme për të siguruar paqe të qëndrueshme në rajon dhe përshpejtim të procesit për tu integruar në BE.

“Diskutim i mirë rreth dialogut me Kosovën & Serbinë dhe rrugën e Kosovës drejt BE-së, me EUSR-në, Miroslav Lajçak. Përsërita se Kosova është e përkushtuar për një dialog për njohjen e ndërsjellë, si mënyra e vetme për të siguruar paqe të qëndrueshme në rajon dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në BE”, ka shkruar Thaçi në Twitter. /Insajderi.com