Lajçak sot në Serbi, takimin e parë e zhvillon me Vuçiqin

Lajçak sot në Serbi, takimin e parë e zhvillon me Vuçiqin

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë sot për vizitë në Beograd ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, transmeton Insajderi.

Siç raportohet në mediat serbe, ndryshe nga Kosova ku takimi i parë i Lajçakut u zhvillua me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, në Serbi së pari do të pritet nga Vuçiq.

Pas takimit, i cili do të fillojë në orën 18:00 në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Serbisë, është planifikuar një konferencë për media.

Kështu bëri të ditur Shërbimi për Bashkëpunim me Mediat i Presidentit të Serbisë.

Në prag të vizitës në Beograd, Lajçak ka thënë në një intervistë për ‘Tanjug’ se nuk po shkon në Beograd me një “ultimatum”, se Serbia nuk duhet të kishte frikë nga bashkëpunimi i ri midis BE-së dhe SHBA-së në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe se ai ishte i bindur se ekziston hapësirë që Prishtina dhe Beogradi mund të merren vesh për marrëdhëniet e ndërsjella. /Insajderi.com