Lajçak takon Bislimin: Gjithçka në dialogun Kosovë-Serbi është politike, asgjë teknike

Lajçak takon Bislimin: Gjithçka në dialogun Kosovë-Serbi është politike, asgjë teknike

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njofton Insajderi.

Këtë takim e bëri të ditur Lajçak me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ku tha se gjithçka që do të bisedohet midis Kosovës dhe Serbisë është politike dhe asgjë teknike.

Siç thotë emisari i BE-së për bisedimet, takimi Lajçak-Bislimi është zhvilluar para nisjes së takimit të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve që do të nisë të mërkurën e 7 korrikut.

“E mirëprita Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës për diskutime sot para takimit të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve nesër. Gjithçka në bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është politike, asgjë s’është teknike”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, të kryesuara nga Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen nesër në Bruksel. /Insajderi.com