Lajçak takon Hysenin dhe Gjuriqin në Bruksel

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka takuar Koordinatorin Shtetëror për Dialogun, Skender Hyseni dhe drejtorin e të ashtuquajturës, “zyre për Kosovën”, Marko Gjuriq.

Lajçak takon Hysenin dhe Gjuriqin në Bruksel

I dërguari special i Bashkimit Evropian për Dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka takuar Koordinatorin Shtetëror për Dialogun, Skender Hyseni dhe drejtorin e të ashtuquajturës, “zyre për Kosovën”, Marko Gjuriq.

Në Bashkimin Evropian po mbahet dialogu i nivelit teknik pasi ditë më parë është zhvilluar një takim i nivelit të lartë në mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.

“Sot, ne po vazhdojmë diskutimet politike në nivel të ekspertëve. I lumtur t’iu uroj mirëseardhje në këtë mëngjes dy negociatorëvë nga dy palët, Skënder Hysenit, dhe Marko Gjuriqit”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Dialogu është bartur në përgjegjësinë e Bashkimit Evropian – një takim në Uashington i planifikuar për 27 qershor ka dështuar kjo pas propozim-aktakuzës befasuese ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, vetëm disa ditë para takimit të iniciuar nga emisari special i Trump-it, Richard Grenell. /Insajderi.com/