Lajçak tregon qëllimin e vizitës së tij në Prishtinë

Lajçak tregon qëllimin e vizitës së tij në Prishtinë

I dërguari special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se qëllimi kryesor i vizitës së tij në Prishtinë është përgatitja e takimit në mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiqit, njofton Insajderi.

“Qëllimi parësor i kësaj vizite është të përgatitet takimi i parë i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit, i cili do të mbahet pas pak ditësh në Bruksel, prandaj unë jam këtu”, tha Lajçak në një konferencë për media.

Ai u pyet edhe për deklaratën e tij rreth ndryshimit të kushtetutës që të arrihet marrëveshja Kosova-Serbi.

“Është një lloj tradite që më vendoset në gojë diçka që nuk e kam thënë, ajo që e kam thënë është referenca që kur arrihet një marrëveshje ndërkombëtare atëherë ky zotim që del nga ajo marrëveshje duhet të reflektojë edhe në kushtetutë”, tha Lajçak.

Diplomati evropian gjithashtu paralajmëroi samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në tetor të këtij viti.

Ai tha se ky vit do të jetë i mirë për rajonin e për këtë dialogu Kosovë-Serbi do të jetë shembull. /Insajderi.com