Lajçaki për dialogun Kosovë-Serbi: Është arritur përparim i plotë në disa çështje

Lajçaki për dialogun Kosovë-Serbi: Është arritur përparim i plotë në disa çështje

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se gjatë dialogut të zhvilluar sot mes përfaqësueve të këtyre dy shteteve në Bruksel, është arritur përparim i plotë në diskutimet rreth bashkëpunimit ekonomik dhe çështjes së personave të pagjetur dhe të zhvendosur.

“Është e rëndësishme që të dy liderët këtë mëngjes, teksa kanë ardhur nga takimet e Shtëpisë së Bardhë, kanë konfirmuar se janë të lidhur me prioritetet e integrimit në Bashkimit Evropian dhe në vazhdimin e punës për dialogun Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka thënë Lajçak pas takimit, raporton REL, transmeton Insajderi.

Sipas tij, në takimin e së hënës është diskutuar për çështjet e komuniteteve joshumicë, dhe pretendimeve të përbashkëta financiare e pronësore.

“Ky ka qenë këmbimi i parë që na ka lejuar neve të definojmë hapat e ardhshëm të diskutimeve tona. Takimi ynë i radhës do t’iu dedikohet këtyre temave”, ka deklaruar ai.

Lajçak mes tjerash ka përmendur se bisedimet nuk kanë qenë të lehta, mirëpo se në to është shënuar përparim.

Bisedimet Kosovë-Serbi do të vazhdojnë javën e ardhshme në nivel ekspertësh, derisa në nivel liderësh më vonë gjatë këtij muaji, përkatësisht 28 shtator. /Insajderi.com