Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i ka shkruar letër liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, për ta uruar këtë të fundit për marrjen e pozitës së shefit të ekzekutivit, përcjell Insajderi.
Përmes kësaj letre, Lajçak ka theksuar se dialogu mes Kosovës e Serbisë duhet të vazhdojë pa vonesa.
“Në cilësinë time si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, shpresoj të punojmë së bashku drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Unë zotohem vendosmërisht që do t’i mbështes të dy palët për t’i vazhduar pa vonesa takimet në kuadër të Dialogut me Beogradin, të lehtësuar nga BE-ja. Vazhdimi i Dialogut do të na mundësojë të bëjmë progres i cili do të sjellë dobi për të dy palët në vitet që vijnë”, thuhet në letrën e Lajçakut.
Ai më tutje ka shkruar se së shpejti do ta ftojë Kurti në Bruksel për të diskutuar personalisht për punën e përbashkët./Insajderi.com