Lajçaku nuk përmendi Kosovën në postimin e tij, qytetarët e kritikojnë përmes komenteve

Lajçaku nuk përmendi Kosovën në postimin e tij, qytetarët e kritikojnë përmes komenteve

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është vërshuar nga komentet negative të qytetarëve në një postim në Twitter, njofton Insajderi.

Kjo pasi diplomati sllovak, shtet ky që nuk e njeh Kosovën, në atë postim ka njoftuar për një bashkëbisedim virtual që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, por nuk ka përmendur Kosovën.

Kritikat e qytetarëve nuk kanë qenë të pakta, të cilat kanë komentuar se Lajçak vazhdon të jetë jo neutral sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Madje, ka pasur edhe prej atyre që i kanë kërkuar ta lirojë pozitën e negociuesit në dialog, ndërsa e kanë quajtur edhe pro-serb.

“Lajçak, shko në shtëpi. Ju nuk jeni në gjendje të negocioni. Absolutisht pro serb!”, ka shkruar njëri nga komentuesit.

Jo vetëm qytetarë, ndaj këtij postimi ka reaguar edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.

Ajo ka ironizuar me postimin e Lajçak, duke thënë se “A duhet njerëzit ta kërkojnë në Google emrin e zv.kryeministrit Bislimi për të kuptuar se kush është ai?”./Insajderi.com