Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, tha se Mali i Zi është në pozitë të mirë për të qenë vendi i parë në rajon që bëhet anëtar i BE-së.
Ai këto komente i bëri sot pas takimit me Kryeministrin e Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, në margjinat e Forumit Ekonomik në Athinë.
Siç u bë e ditur nga Qeveria e Malit të Zi, Krivokapiq u shpreh i kënaqur me këtë takim dhe tha se intensiteti shumë dinamik i kontaktit me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare është një lloj konfirmimi për angazhimin e Qeverisë së Malit të Zi për t’u bërë një anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian.
“Ne besojmë në procesin e integrimit evropian dhe perspektivën tonë evropiane. Qeveria po punon me kapacitet të plotë për të përmbushur detyrimet nga agjenda evropiane në mënyrë që që Mali i Zi të bëhet një anëtar i plotë sa më shpejt të jetë e mundur” tha kryeministri malazez.
Përfaqësuesi Special i BE-së tha se një nga prioritetet e BE-së është integrimi i Ballkanit Perëndimor duke shtuar se BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, shkruan Radio Televizioni i Malit të Zi./Insajderi.com