Lajçakut i vazhdohet mandati si i Dërguar i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi

Lajçakut i vazhdohet mandati si i Dërguar i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi

Këshilli Evropian mori vendimin që pritej. Për 17 muaj tjerë ia zgjati mandatin të Dërguarit Special për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njofton Insajderi.

Sipas vendimit diplomati sllovak në aspektin monetar me ekip nga 1 Prill 2021 deri më 31 gusht 2022, ka në dispozicion mbi dy milionë e gjysmë euro.

Lajçak, u emërua emisar për dialog më 1 prill të 2020.

Për 12 muaj në post Lajçak, kishte tre turne në dy vendet për të cilat është thirrur, njofton Klan Kosova.

Në Bruksel nën ndërmjetësimin e tij pati disa rrethe të negociatave në nivel të lartë dhe atë teknik.

Në këtë proces Lajçak ka thënë se ka marrëveshje për çështjen e të pagjeturve, bashkëpunimin ekonomik, e personat e shpërngulur. Por dokumentet nuk zbardhen pa u arritur ujdia finale për krejt temat.

“Lajçak, ka bërë disa gabime gjatë kësaj periudhe. Insistimi i tij se arritja e marrëveshjes ligjërisht obligative Prishtinë-Beograd mund të ndodhë brenda muajsh e jo vitesh është gabim. Loja me afate kohore jep presion të panevojshëm. Edhe deklarimi i tij se duhet të ketë ndryshime Kushtetuese në Kosovë duke mos qenë në gjendje për të treguar saktë se për çfarë bëhet fjalë kjo në raport me Asociacionin, ngriti shqetësime” tha eksperti gjerman për dialogun Bodo Weber.

Zhvillimet në relacionet Uashington-Berlin kanë ndryshuar, ndryshime ka edhe në Prishtinë, prandaj sipas Weber emisari do e ketë punën më të lehtë.

“Për herë të parë Lajçak i ka në tavolinë kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiq, të cilët kanë mazhorancën e qartë në vendet respektive. Po ashtu Administrata e Trump ka përfunduar dhe kjo e bënë emisarin të flet për shpresa të reja se procesi i bisedimeve tani merr shpejtësinë e duhur”.

Miroslav Lajçak, është ish shef i diplomacisë së Sllovakisë.

Ky vend është në mesin e pesë vendeve anëtare nga 27 që ka Bashkimi Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës./Insajderi.com