Zëvendëskryeministri i Serbisë Rasim Lajiq ka deklaruar se paralajmërimi i presidentit të Çekisë Milos Zeman që do ta rishqyrtojë vendimin për njohjen e Kosovës, si dhe pretendimet e BE dhe SHBA për nevojën e gjetjes të zgjidhjes së kompromisit, “tregojnë se nuk është vendosur pika në këtë çështje dhe se nuk kanë përfunduar negociatat për statusin e Kosovës”.

Lajiq ka thënë për televizionin serb RTS se nuk duhet të ketë optimizëm të tepruar se paralajmërimi i presidentit çek do të ndikojë në mënyrë dramatike në anëtaret tjera të BE, por se “është tregues se në vetë Çekinë nuk ekziston pajtimi rreth çështjes së Kosovës, si edhe në BE”.
“Nuk kemi iluzion se BE dhe SHBA do ta tërheqin qëndrimin e tyre rreth njohjes, mirëpo është ndryshim i madh fakti se ata, nëse asgjë tjetër, de facto kanë pranuar se statusi nuk është zgjidhur dhe se vetëm tani duhet të bëhen negociatat dhe të gjendet zgjidhja e kompromisit. Çdo zgjidhje e imponuar mund të eskalojë, e që kjo nuk i nevojitet askujt”, ka thënë Lajiq./Insajderi.com.