Ministri serb i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajiq ka deklaruar sot se ka paralajmërime që vendimi i Kosovës për importimin e miellit nga Serbia do të suspendohet.
Lajiq ka thënë për gazetarët në Beograd se Serbia duhet të përforcojë kundërmasa derisa ky vendim të mos hiqet.
“Kemi disa paralajmërime se taksa do të hiqet, nuk na është thënë se kur, por është krejtësisht e sigurt se ne nuk jemi ithtarë të farë luftërash doganore dhe as të kundërmasave. Jemi ithtarë të heqjes së barrierave dhe për qarkullim të lirë të mallit”, citon “politika” e Beogradit të ketë thënë Lajiq, transmeton Koha.net.
Ai ka sqaruar se dëm për shkak të taksës kanë eksportuesit serbë e bëhet fjalë për rreth 30 mullinj që kanë eksportuar miell e kanë plasura mallra. Ai ka shtuar se humbësit më të mëdhenj janë konsumatorët në Kosovë pasi atje çmimi i miellit tash është më i lartë.