Të dhënat nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tregojnë se në ditën e sotme janë regjistruar 83 raste me Coronavirus, njofton Insajderi.
Kjo shifër ka dalur nga 457 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Rastet pozitive janë nga: komuna e Vushtrrisë 15 raste, komuna e Prishtinës 14 raste, komuna e Gjilanit 12 raste, komuna e Pejës 9 raste, komuna e Mitrovicës 9 raste, komuna e Dragashit 8 raste, komuna e Mamushës 7 raste, komuna e Prizrenit 6 raste dhe me nga 1 rast komunat: Fushë Kosovë, Obiliq dhe Skenderaj.
IKSHP gjithashtu njofton se janë shëruar pesë pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 973 raste.
Nga data 08 shkurt deri më 18 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 20.206 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.916 raste, me gjithsej 34 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 18 qershor 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 8.489.701 raste të COVID-19 dhe 452.430 raste të vdekjes.
IKSHP gjithashtu shkruan se “duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet kanë kaluar muajin prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike e private, kemi rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim”.
Kurse, ritheksohet se bartja e maskave mbetet obligative. /Insajderi.com