Lansohet platforma digjitale për mësim online në Kosovë

Lansohet platforma digjitale për mësim online në Kosovë

Ndikimi i pandemisë ka bërë që mësimi të mbahet edhe online. Për këtë arsye është lansuar platforma digjitale në Kosovë, përmes të cilës synohet përfshirja e të gjithë pjesëmarrësve në mësimdhënie dhe mësimnxënie, në një sistem të vetëm online të mësimit, njofton Insajderi.

Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, të hënë, kanë lansuar online në Zoom, platformën digjitale mësimore shkollat.org. Platformë kjo, e cila është mbështetur nga Microsoft Office dhe Universiteti i Cambridge.

Në konferencën online Murat Sahin, shef i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, ka thënë se ishin të obliguar për të bërë diçka të tillë pasi që fëmijët e përjetuan më së rëndi pandeminë COVID-19.

“Së bashku me MASH dhe Bashkësinë Ndërkombëtare, vizioni ynë do të mbetet të mbështesim fëmijët, mësuesit dhe prindërit gjatë kësaj kohe të vështirë”.

Ndërsa Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, ka thënë se nga pandemia më së shumti janë prekur fëmijët.

“Kur mendojmë për COVID-19, nuk mendojmë domosdoshmërisht për fëmijët, por fëmijët janë ata që u ndikuan më së shumti, gjysma e fëmijëve në botë, nuk vijuan mësimin online. Ne duhet t’i vendosim fëmijët në qendër “.

Ministri i Arsimit në Kosovë, Ramë Likaj, ka deklaruar se platforma digjitale do të lehtësojë mësimin online.

“Me UNICEF-in, ne po mbështesim shkollat që të hapen të parët dhe të fundit të mbyllen, dhe sot me fillimin e platformës http://shkollat.org ne po lehtësojmë mësimin në distancë për të gjithë studentët kushdo që të jenë dhe kudo që të jenë”.

Shkollat.org është platformë digjitale e cila ndërlidh nivelet e arsimit parauniversitar me shërbimet e Microsoft Office 365.

Kjo është paraparë si një zgjidhje e thjeshtë e cila ju ofron mundësi më të lehta në shërbime të ndryshme të shkollave, nxënësve, mësimdhënësve dhe pjesëmarrësve të tjerë administrativë.

Office 365 është një shërbim dhe një bazë veglash e cila do tu ofrohet të gjithë nxënësve.

Ai është i ndërtuar nga sisteme të ndryshme operative dhe mundëson një punë mobile të sigurt dhe pa pengesa me pajisje të ndryshme./Insajderi.com